Lajme


Rakacolli: Ja kur do të ndryshojnë masat anti-COVID

Postuar nga admin

16th February 2022

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, teksa ka qenë e pranishme në një aktivitet në Akademinë e Shkencave tha se situata epidemiologjike në vend është e qëndrueshme dhe numri i personave të infektuar dhe ai i të shtruarve në spital ka qenë në ulje.

Rakacolli gjatë intervistës për mediat, theksoi faktin se masat do të lehtësohen vetëm atëherë kur niveli i ulet i infektimeve do të zgjasë të paktën dy javë rresht, pa ulje dhe ngritje.

“Masat shkojnë në përputhje me situatën epidemiologjike. Ne i ndjekim me vëmendjen. Fatmirësisht situata epidemiologjike është e qëndrueshme në spitale dhe me një ulje në numrin e infektimeve. Lirimi i masave do të vijë nëse ky nivel i ulët i infektimeve do të qëndrojë të paktën për dy javë rresht.”, u shpreh ajo.

Gjatë aktivitetit të dedikuar për “Infodemia e shkaktuar nga Covid-19, pasojat dhe përballimi i saj”, zëvendësministrja e Shëndetësisë tha se kohët e fundit është shtuar ndjeshëm numri i të rinjve të vaksinuar.

“Asgjë nuk shihet me shifrat ditore, janë të gabuara këto konkluzione. Ashtu siç nuk duhet të ketë entuziazëm në ditët që kemi numër të lartë vaksinimesh, ashtu edhe nuk duhet të bëhemi pesimistë kur numri është i ulët. Mos harroni që ditët e fundit ishin festë, për Shën valentin. Kush do të vaksinohet? Ajo që na pëlqen dhe është një tendencë pozitive është fakti që numri i të rinjve që po vaksinohen po rritet.”, tha ajo lidhur me vaksinimin.