Lajme


Remo Girone në Tiranë, në filmin e Namik Ajazit

Postuar nga admin

15th October 2018

Nisën xhirimet e filmit më të ri me regji të Namik Ajazit, “Portreti i pambaruar i Clara Bellinit” i cili sjell në Shqipëri Remo Girone-n. Së bashku me skenaristin Ruzhdi Pulaha dhe një kast të zgjedhur aktorësh shqiptarë e italianë, Ajazi sjell një histori të pamundur dashurie gjatë viteve të diktaturës. Bëhet fjalë për historinë e dashurisë mes një djali shqiptar dhe vajzës së një diplomati të lartë Italian.

Ngjarjet zhvillohen në fund të viteve ’70, fillim i ’80-ës dhe krahas historisë së dy të rinjve, tenton të sjellë edhe atmosferën e atyre viteve të vështira për shqiptarët. Për të ndërtuar këtë histori, regjisori Ajazi ka punuar për gati tre vjet dhe ka bërë kërkime në ish-Arkivën e Ministrisë së Brendshme.

Është mbështetur në katër histori të vërteta, njëra prej të cilave i qaset më shumë asaj të filmit. Por Ajazi thotë se nuk mund të flitet për persnazhe realë, pasi ajo ka marrë copëza nga disa syresh. “Nuk dua që askush të identifikohet me personazhet e filmit. Por ëhstë një histori e vërtetë që i bën homazh atyre ngjarjeve të dhimbshme, romancave të ngelura përgjysmë, idileve të prera në mes nga ana e regjimit, i cili nuk të falte. Është homazh për të gjithë ata njerëz që kanë kaluar nëpër situate të tilla. Disa nuk jetojnë më, disa tashmë janë gjyshër”, thotë Ajazi, teksa shton që përzgjedhja e temave nga e kaluara komunisti vjen si një detyrim karshi një brezi që përjetoi kohëra të vështira, por edhe për t’i treguar brezit të ri se ç’kanë qenë këto vite.

Kasti i aktorëve përbën një surprizë më vete. Ajazi ka arritur të bindë e të sjellë në Tiranë aktorin Remo Girone, i cili së bashku me aktoren Victoia Zinny do të interpretojnë prindërit e vajzës.

“Beatrice Aiello, një aktore e re me perspektivë do të jetë në rolin e protagonists, po ashtu interpreton edhe Marta Gastini. Kemi një kast të mirë aktorësh shqiptarë, që nga Alfred Trebicka, Gulielm Radoja, Raimonda Bulku, Mehdi Malkaj dhe një djalosh i ri që jeton në Firenze, Anton Kowdrinaj, të cilit i kemi besuar rolin kryesor, atë të Artur Erzenit”, thotë regjisori.

Filmi mbështetet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Ministria Italiane e Kulturës.