Lajme


Rikthehet panairi i librit më 17-21 nëntor

Postuar nga admin

12th November 2021

Panairi i librit, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore, këtë vit do të mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë nga data 17 deri 21 nëntor.

Autorët nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të kenë sërish përball lexuesit e tyre, pasi vitin të kaluar që për shkak të pandemisë, panairi i librit u detyrua të mbahej në platformat online.

“Do të jenë 90 shtëpi botuese dhe operatorë tjerë e institucione që merren me librin. Ka me qindra tituj të rinj”, tha Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve.

Si çdo herë tjetër, kalendari i aktiviteteve, sigurisht do t’i kushtohet librit, me seminare, diskutime, dhe takime me shkrimtarë të njohur, vendas e të huaj, ku veçanërisht një hapësire do t’i kushtohet krijuesve dhe përkthyesve të rinj. 

“Puna që bëhet nga autorët shqiptarë në radhë të parë, sidomos të rinjtë që janë e ardhmja e letërsisë, edhe këta do të jenë pjesë e panairit, do të jenë pjesë e aktiviteteve”, thotë Ymeri.

Në lëmin e librave të nxjerra nëpër stenda në vitet e kaluara, prezenca e titujve nga letërsia e huaj dominon titujt e letërsisë shqipe, megjithatë edhe këtë vit nuk do të mungojnë librat e rinj të autorëve tanë. 

Organizatorët e panairit kanë bërë të ditur se nuk duhet as certifikatë vaksinimi, as përgjigje tamponi për COVID-19 për të hyrë në panair. Por, gjatë ditëve që mbahet ky eveniment,  grumbullimet e mëdha nuk do të lejohen.