Lajme
Rikthehet pas dy vjetësh Nata e Bardhë në Tiranë

Postuar nga admin
22nd November 2021
Tradita e Natës së Bardhë do të rikthehet këtë nëntor në Tiranë, pas dy vjetësh mungese për shkak të fatkeqësisë së tërmetit të vitit 2019 dhe më pas si pasojë e kufizimeve të pandemisë. Bashkia Tiranë ka njoftuar lajmin përmes një videoje, ku shpjegohen edhe risitë dhe mënyra e realizimit këtë vit.
“Tradita vazhdon… Më 29 nëntor, Nata e Bardhë – Bëhu pjesë e festës! 6 lokacione, 6 aktivitete”, -shkruhet përkrah videos.
Këtë vit, aktivitetet do të mbaten në 6 vendndodhje të ndryshme – te Sheshi Skënderbej, te pedonalja, Parku Rinia, rruga “Mustafa Matohiti”, Sheshi Italia dhe rruga “Pjetër Bogdani” (në ish-Bllok).
Disa nga artistët që do të marrin pjesë në Natën e Bardhë do të jenë: Mato Lale, Ronela Hajati, Irkenc Hyka, Lindi, Krusita, Urban Band, Rea Nuhu etj.
Ndërsa 6 aktivitetet, përfshijnë interpretime nga këngëtarët e njohur të skenës shqiptare, një shfaqje latine, street dance, performanca live, banda elektronike dhe performanca nga fëmijët.