Lajme


Shpallet projekti fitues për muzeun mbi bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe hebrenjve

Postuar nga admin

23rd December 2021

Vlora do të ketë së shpejt një muze ku do të pasqyrohet bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe hebrenjve.

Nga konkursi ndërkombëtar i çelur nga Ministria e Kulturës bashkë me Fondin amerikano shqiptar të Zhvillimit, u shpall fitues një studio nga Izraeli.

Projekti i studios “Kimmel Eshkolot Architects” u përzgjodh fituese mes tri garuesve si ajo që kishte rrokur më mirë idenë e realizimit.

Muzeu do të jetë i vendosur në qendrën historike të qytetit dhe do të krijojë një ambient bashkëkohor kulturor, që do të shërbejë për organizimin e ngjarjeve të ndryshme, si librari, kafe dhe hapësirë e jashtme.

Në Janar të 2022, do të prezantohet nga Fondacioni Amerikano Shqiptar i Zhvillimit, projekti i ngritjes së Muzeut Hebrenj.

Brenda 2022 pritet nisja e punës për ngritjen e muzeut në Vlorë që njihet edhe si qytetit që priti numrin më të madh të hebrenjve.

Shqipëria ka një histori të gjatë dhe të pasur sa i takon mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe qëllimi i  muzeut, është të flasë në vazhdimësi për dimensionin human të shqiptarëve.

Në fund të janarit do të shpallet projekti i plotë, kurse në shkurt pritet çelja e procedurës së prokurimit.

Kjo vepër kushtuar bashkëjetesës së hebrenjve dhe shqiptarëve, për të cilën është folur përtej kufijve tanë synon të kthehet në një institucion kulturor, që pritet të thithë dhjetëra vizitorë.