Lajme
Shuhet shqiponja e skenës, Rexhep Çeliku.

Postuar nga admin
12th January 2018
Mjeshtri i madh i skenës shqiptare, Rexhep Çeliku është shuar në orët e para të ditës së sotme, duke humbur kështu betejën me sëmundjen e rëndë, prej së cilës vuante prej kohësh.
Ai u nda nga jeta sot në orën 02.30 minuta pas mesnate në moshën 63-vjeçare. Homazhet në ndër të mjeshtrit të madh të valles shqiptare, Rexhep Çeliku, do të mbahen nesër në orën 11:00-13:00 tek Muzeu Kombëtar.
Solisti i parë i Ansamblit të këngëve dhe valleve 4 ditë më parë u nderua nga presidenti Ilir Meta me një tjetër titull, konkretisht me medaljen NDERI I KOMBIT.
“Falenderoj në radhë të parë Presidentin Meta për këtë dekoratë, për këtë madhështi kaq të madhe që unë besoj që është një gjë shumë e vlefshme jo vetëm për mua por per gjithë kolektivin”, tha me emocion Çeliku, pasi mori dekoratën.
Çeliku numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.
Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.