Lajme


Studentët në protestë para Ministrisë së Arsimit: Duam mësim pa kushte

Postuar nga admin

18th October 2021

Me tension ka nisur viti akademik në disa prej Universiteteve në Shqipëri.

Studentët ishin lajmëruar se në auditorë do lejohen vetëm të vaksinuarit, ata me test negative për COVID-19 si dhe studentët me raport mjekësor. Këto kushte kanë lënë jashtë auditorëve pjesën tjetër të studentëve.

“Tentova tek dera, thanë që nuk lejohet. Çfarë të bëj, do humbas vitin shkollor”, tha një student.

Por jo në të gjithë universitetet situata ishte e tillë. Nga një vëzhgim i Euronews Albania u vu re se në disa fakultete u lejuan të ulen në auditorë të gjithë studentet.

“Unë sot mora rolin e një studenteje dhe ju drejtova ambienteve të Universitetit politeknik për të parë nëse mund të hyj pa dokumentacionet e kërkuara. Siç mund të shihet nga pamjet arrita të hyj pa asnjë dokumentacion”, raportoi gazetarja e Euronews Albania Dorina Halili.

Burime nga universitetet na bëjnë me dije se në ditën e parë të vitit akademik studentët janë lejuar në disa auditorë në shenjë ndërgjegjësimi për kryerjen më tej të vaksinës.

Paqartësia sesi do veprohet me studentët e pa vaksinuar në ditët në vijim, dhe pamundësia për të bërë një test PCR çuan në protestë dhjetëra student përballë Ministrisë së Arsimit.

“Jam kundër vaksinimit me detyrim të theksuar, po jo kundër vaksinimit”, tha një student.

“Nuk dua ta bëj vaksinën, është e drejta ime, nuk më lënë të futem”, tha një student.

“Nuk kemi siguri nga vaksina dhe testi PCR është i shtrenjtë për tu bërë javë për javë, kemi shumë shpenzime dhe ajo është e tepërt për ne”, u shpreh një studente.

“Shumica e familjeve tona nuk janë shumë të pasura sa të bëjmë një PCR, ti kërkon 25 mijë lek nga një student i thjeshtë”, tha një tjetër studente.

Mësimi fizikisht në auditorë nisi pas dy vitesh mësim online, për shkak ë pandemisë.