Lajme


“Takimi i trevave” më 7 qershor, aty ku folklori shqiptar shpaloset përmes kërcimit.

Postuar nga admin

6th June 2018

40 artistë të Ansamblit “Tirana” do të jenë pjesë e koncertit përmbyllës të sezonit pranveror të Teatrit të Metropolit, festës tradicionale shqiptare, që do të mbahet më 7 qershor në Atriumin e Muzeut Historik Kombëtar.

“Është takim i trevave, ku veriu takon jugun, lindja perëndimin, Shqipërinë e Mesme e kështu me radhë. Është një rast i mirë që spektatori që njeh më shumë njërën trevë, apo trevën tjetër, në varësi të prejardhjes, të ketë mundësi që të njohë të gjitha ngjyrat që folklori shqiptar ka. Është një festë e madhe”, shprehet Armela Demaj, udhëheqëse artistike.

Ndërkohë, Mariglen Domi është prej 15 vitesh valltar profesionist në Ansamblin “Tirana”. Që i vogël ai kërcente në mënyrë amatore vallet tona tradicionale, por takimi me mjeshtrin Rexhep Çeliku i dha drejtimin e duhur jetës së tij artistike, kur Marigleni ishte vetëm 15 vjeç.

Por, ndonëse ka studiuar në Shkollën e Baletit, muzika klasike nuk e ka bërë dot për vete.

“Jo se klasikja nuk është e bukur, por folklori ynë është më i bukur. I dua të gjitha muzikat, por them këtë që për të dashur muzikën e tjetrit, duhet të dish muzikën tënde, rrënjët e tua”, tregon ai.

“Vallja e Shupalit”, apo ritmet e ‘Napolonit’ e bëjnë të marrë vallen sapo dëgjon tingujt e parë në instrument.

E që të bëhesh një valltar i mirë, nuk mjafton vetëm talenti, duhet edhe shumë pasion.

“Nëse nuk e do kërcimin, nëse nuk e do vallen, është e kotë të jesh pjesë e Ansamblit, apo e një grupi tjetër”, shton më tej.