Lajme


“Tartufi”, sukses absolut në Festivalin Ballkanik të Teatrit në Turqi

Postuar nga admin

26th March 2018

Komedia “Tartufi”, vepër e Molierit, me regji nga Kushtrim Bekteshi arriti një sukses të jashtëzakonshëm në Festivalin Ballkanik të Teatrit në Bursa, Turqi, ku përfaqësoi Shqipërinë.

Kjo vepër teatrore që deri tani është vlerësuar me disa çmime dhe erdhi premierë vjeshtën e vitit që kaloi në skenën e teatrit ”Migjeni”në Shkodër, ku nuk mungoi në Tiranë dhe në skena të tjera të vendit u duartrokit gjatë nga publiku i pranishëm në sallë në natën e parë të shfaqjes së saj.

Në komedi interpretojnë aktorët Besfort Berberi, Pjerin Vlashi, Rita Gjeka, Krist Lleshi, Jozef Shiroka, Sara Smaja, Simon Shkreli, Merita Smaja, Nikolin Ferketa, Kristina Dodaj dhe Enver Hyseni.

Tartufi është personifikimi i hipokrizisë. Hipokrizia është edhe problemi kryesor që trajtohet në këtë vepër. Komedia është mbështetur në tekstin origjinal të komedisë “Tartufi” të Molierit, e shkruar në vitin 1664.

Ngjarjet zhvillohen në shtëpinë e Orgonit. Në shtëpinë e Orgonit gjithçka ka filluar të ndryshojë pas ardhjes së Tartufit, i cili i maskuar nën petkun e një besimtari të devotshëm ka arritur ta magjepsë Orgonin dhe nënën e tij (zonjën Pernelë). Familjarët përpiqen t’i hapin sytë Orgonit, por ai jo vetëm që nuk tundet nga besimi se në shtëpi ka futur një njeri të shenjtë, por përkundrazi vendos ta ndajë vajzën e tij Marianën nga i dashuri i saj Valeri dhe t’a martojë me Tartufin.

Kur Orgoni më në fund bindet se në shtëpi ka futur një hipokrit dhe vendos ta dëbojë nga shtëpia, e kupton me vonesë se tanimë jeta e tij dhe e familjes së tij është në dorën e Tartufit, i cili është në gjendje të shkatërrojë çdokënd që mund t’i bëhet pengesë në realizimin e ambicieve të tija të sëmura për para, femra dhe pushtet.

Komedia “Tartufi” solli për herë të parë në Shkodër një bashkëpunim të gjerë kombëtar, duke bashkuar artistët nga trojet shqiptare të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.Premiera e komedisë ishte më 15 shtator të vitit të shkuar në teatrin “Migjeni” të Shkodrës.

Komedia do të shfaqet edhe mbrëmjen e sotme në skenën e Festivalit Ballkanik të Teatrit në Bursa, Turqi.