Lajme


Të hënën nis mësimi në universitete: Ja si do të procedohet me vaksinat dhe testet

Postuar nga admin

13th October 2021

Të hënën fillon viti i ri akademik 2021-2022. Pas më shumë se një viti mësimi online, studentët dhe pedagogët do të rikthehen në auditore, duke paraqitur certifikatën e vaksinës ose një vërtetim që kanë kryer të paktën një dozë, ose duke paraqitur një test PCR negativ.

Gjatë një interviste për “ABC Live”, rektorët dhe zv/rektorët e universiteteve të Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës treguan se si do të vihet në zbatim ky proces.

“Ditën e hënë ne fillojmë mësimin në auditore dhe do kemi një proces të verifikim të testeve dhe vaksinave. Pasi të kemi një situatë më të qartë do vijojmë me vendimet. Nuk ka shumë vend për vendime, pasi ne e dimë që mësimi do të fillojë në auditore,” -u shpreh Ksanela Stofiroksi, rektore Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Frosina Londo, zv/rektore e universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, tha se janë ngritur dy qendra vaksinimi në fakultete si dhe është kryer një fushatë sensibilizimi për studentët.

“Prej ditës së hënë janë ngritur dy qendra vaksinimi pranë fakulteteve të universitetit tonë. Është bërë sensibilizimi i studentëve për t’u vaksinuar. Nuk ka pasur pjesëmarrje masive në këto dy ditë. Në javën e parë do të mjaftohemi edhe me një dozë vaksinimi. Studentët do jenë të gjithë me maska. Edhe pedagogët. Edhe stafi administrativ. Edhe me një dozë vaksinimi mund të jenë pjesë e auditorit”, deklaroi ajo.

Peci Naqellari, nga Universiteti i Elbasanit, tha se situata është nën monitorim dhe tha se nga e hëna do të veprohet në bazë të rekomandimit të Ministrisë.

“Ne kemi bërë një pyetësor online dhe mund të them se një pjesë e studentëve janë të vaksinuar me një ose dy doza. Ne e kemi gjendjen në monitorim. Ditën e hënë ne do t’u kërkojmë studentëve certifikatën dhe kartën e vaksinimit. Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, në muajin qershor studentët u kthyen në auditorë pjesërisht. Ne riparuam ato boshllëqe. Pa dyshim edhe në vijim do reflektohen këto dobësi dhe ne do përpiqemi t’i mbulojmë ose t’i plotësojmë ato mangësi.”