Lajme


Tonin Harapi , mjeshtri i lirikës nderohet në Universitetin e Arteve.

Postuar nga admin

4th April 2018

Artdashësit e kryeqytetit po përjetojnë këto ditë një tjetër event kulturor të organizuar nga Fakulteti i Muzikës në Universitetin e Arteve.

Në kuadër të vlerësimit të figurave të artit dhe kulturës, po zhvillohet një veprimtari përkujtimore në nderim të Tonin Harapit e cila ka nisur në datën 2 prill dhe më 5 prill do të jetë edhe mbrëmja përmbyllëse.

Cilësuar ndryshe si ‘Chopin shqiptar’, kompozitori ka lënë pas një trashëgimi të tërë veprash për piano e vokal. Ai është quajtur mjeshtër i lirikës, i njohur për rapsodinë e famshme numër një, koncertin numër një për piano dhe orkestër e për shumë vepra të tjera.

Ai është ndër themeluesit e Universitetit të Arteve e në nder të tij, dekanati i muzikës e ka pagëzuar gjatë veprimtarisë, sallën e lektoriumit me emrin “Tonin Harapi”. Gjithashtu , Fakulteti i Muzikës ka zgjedhur që në këtë veprimtari ta celebrojë me promovimin e dy librave me partitura, një CD me krijimtarinë e Tonin Harapit dhe tre koncerte në nder të tij.

Kjo veprimtari është ideuar dhe drejtuar nga Isak Shehu dhe Lorenc Radovani në të cilën morën pjesë edhe studentë dhe pedagogë të Universitetit të Arteve, si: Anita Tartari, Zana Turku, Artan Liçaj etj.

Nata finale do të ngjisë në skenë Merita Rexha Tërshanën me performancën e saj në piano e cila do të rizgjojë duke sjellë për publikun koncertin për piano të luajtur 50 vite më parë nga Anita Tartari,ndërsa orkestra e UA do të drejtohet nga dirigjenti amerikan, Glen Cortese.