Showbizz


Tre gra kosovare në garë për çmimin Oscar

Postuar nga admin

29th October 2018

Qendra Kinematografike e Kosovës njofton se ky është një vit i veçantë për industrinë e filmit kosovar, pasi tre regjisore të saj, Lendita Zeqiraj, Blerta Zeqiri dhe More Raça, janë kualifikuar për edicionin e 91-të të Çmimeve të Akademisë – Oscar.

Filmi debutues i metrazhit të gjatë i Blerta Zeqirit ‘MARTESA’ fitoi çmimin FIPRESCI dhe çmimin special të jurisë në festivalin Tallin Black Nights në vitin 2017.

Filmi Martesa është propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar – kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj.

Filmi i shkurtër i Lendita Zeqirajt ‘GARDHI’ u kualifikua si filmi më i mirë i shkurtër në festivalin ndërkombëtar të filmit në Hamptons dhe si filmi më i mirë nën 15 minuta në festivalin e filmit të shkurtër në Palm Springs.
Filmi prek temën e përjashtimit, shovinizmit dhe racizmit në shoqërinë kosovare.

‘AJO’ nga More Raça është përzgjedhur si njëri ndër finalistët e Manhattan Short Film Festival.

Filmi është shfaqur në mbi 350 qytete nëpër 6 kontinente dhe ka fituar të drejtën të garojë për Oscar. Ajo flet për temën e dhunës në familje dhe e përcjell trimërinë e një vajze të vogël, të luajtur nga Diella Valla, e cila bën të pamundurën për te shpëtuar vetveten dhe nënën e saj, të cilën e luan Aurita Agushi.

“Këto tri kualifikime vazhdojnë të pasqyrojnë trendin e zhvillimit të industrisë kosovare të filmit, që po prodhon gjithnjë më shumë filma të pëlqyer në mbarë botën. “Kemi shpresa të mëdha për atë se çfarë do të sjellë e ardhmja për talentet tanë”, ka thënë drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku.