Lajme


Turizmi kulturor, Kumbaro zbulon projektet e reja kërkimore në arkeologji

Postuar nga admin

30th March 2018

Gërmimet arkeologjike janë një tjetër vlerë e trashëgimisë kulturore, të cilat tregojnë një anë të panjohur të historisë dhe ngjallin kuriozitet për vizitorët e huaj, por dhe shqiptarë të cilët kërkojnë të dinë më shumë rreth historisë dhe fakteve për vendin tonë.

Një sërë projektesh shkencore janë miratuara së fundmi nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, synojnë që përgjatë këtij viti në zgjerimin e gërmimeve arkeologjike, përmes të cilave do të përfitohet informacion i ri mbi qytetet antike dhe sitet arkeologjike të vendit tonë, duke rritur mundësinë për vizitueshmërinë e tyre përgjatë sezonit turistik.

“Këto projekte kërkimore në fushën e Arkeologjisë janë me interes jo vetëm për studiuesit e Institutit të Studimeve Arkeologjike, por edhe për zhvillimin e turizmit kulturor”, deklaron ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Ajo thekson se këto do të jenë disa nga stacionet kërkimore dhe kulturore të stinës së diellit që po afron.

Disa nga sitet arkeologjike në të cilat përgjatë këtij viti do të kryhen disa projekte shkencore në zgjerimin e gërmimeve arkeologjike janë qyteti antiko-mesjetar i Kaninës, vijimi i gërmimeve në Antigone, kërkime në ishullin e Maligradit në Prespë, varri monumental në qytetin antik të Klosit, gërmime arkeologjike në kastrumin e Paleokastrës në Gjirokastër, gërmime në Finiq dhe në Butrint, ndërtimi i hartës nënujore të Bregdetit, sondazhet arkeologjike në zonën e Nivicës, rikthimi në format 3D i Bylisit, gërmimet në fortifikimet prehistorike të luginës së Shkumbinit dhe në vendbanimet prehistorike në Skrapar, gërmimet rreth kishës paleokristiane në Hot të Malësisë së Madhe, studimi i qytetit ilir të Zgërdheshit, projekti i Durrësit mesjetar, fortifikimet e Dukajve në luginën e Vjosës, por edhe rizbulimi pafund i Amantias, i kalasë së Drishtit, i gërmimeve në kalanë e Shkodrës dhe vijimi i gërmimeve në Orik.

Në këtë listë vlen të përmenden disa prej projekteve të reja, si: “Ekspeditë përnjohëse në qytetin antiko – mesjetar të Kaninës dhe në zonën e Vjosës”, “Paleokastra”, “Kalaja e Pecës në Kukës”, “Gërmime arkeologjike dhe valorizim turistik i kishës paleokristiane në fshatin Hot (Malësi e Madhe)”, etj., të cilat përmes qëllimeve shkencore e studimore, synojnë kthimin në destinacione turistike të disa prej monumenteve, kështjellave dhe siteve arkeologjike të vendit tonë.