Lajme


Violinistja me famë botërore, Ervis Gega, nderohet me titullin ” Naim Frashëri”. Vlerësim për gjithë njerëzit e artit.

Postuar nga admin

29th June 2018

Pas dekorimit me titullin e lartë “Naim Frashëri”, violinistja  e shquar shqiptare me famë botërore, Ervis Gega e ka konsideruar atë vlerësim të madh nga vendi ku ajo hodhi themelet e mjeshtërisë së violinës.

Violinistja e shquar Gega është shprehur lidhur me titullin dhënë disa ditë më parë nga presidenti Ilir Meta në një ceremoni të veçantë.

“Titujt dhe medaljet janë simbolika, të rëndësishme për të fiksuar arritjet. Por, mua në thelb ajo që më bën të lumtur është që vlerësimin e lartë ma jep vendi ku kam lindur dhe ku u hodhën themelet e mjeshtërisë së violinës për mua. Unë e ndiej si vlerësim jo vetëm për vete, por si vlerësim për atë punë vetëmohuese dhe jo gjithmonë të shpërblyer sa duhet të njerëzve të artit, të shqiptarëve artistë”, u shpreh ajo.

Për të, ky dekorim përbën edhe një falënderim për të gjithë artistët e tjerë.Violinistja Gega ka performuar në skenat më prestigjioze të Gjermanisë dhe të botës, si dhe ka karrierë shumë të suksesshme artistike si Koncert-maestre e parë e Filarmonisë së Bonn-it.